Trajneri i Arsenalit, Unai Emeri, po sheh mundësinë e transferimit të spanjollit Huan Mata në Emirates gjatë verës së ardhshme. Kontrata e spanjollit është drejt fundit me ‘Djajtë e Kuq’, ndërsa sipas ‘Daily Star’ këtë dëshiron ta shfrytëzojë strategu i ‘topçinjëve’, që e sheh spanjollin si zëvendësues të Aron Ramzi.
Huan Mata ka më pak se një vit të mbetur në marrëveshjen e tij të tanishme me Mançester Junajtedin, për të cilën skuadër këtë edicion ka zhvilluar vetëm 7 ndeshje dhe ka realizuar 1 gol.
Mata luajti te Valencia për tri vite me rradhë nën urdhërat e trajnerit Emeri, ndërkohë që të dy mund të ribashkohen në fillim të edicionit 2019-2020.
Deri më tani, mesfushori nuk ka pranuar të zgjasë qëndrimin e tij në “Old Traford” përtej këtij sezoni, pavarësisht përpjekjeve të klubit për ta bindur atë të nënshkruajë një kontratë të re.
E gjithë kjo na lë të kuptojmë se Mata mund ribashkohet sërish me trajnerin e tij të vjetër, Emeri, i cili e pëlqen shumë stilin e lojës së mesfushorit të Junajted, mirëpo kësaj rradhe në futbollin anglez. Mata pjesë e Premierligës është që nga viti 2011-të, kur për një shumë prej 37.1 milion sterlina iu bashkua Çelzit nga rradhët e Valencias.