Drejtuesit e Realit të Madridit vendosën t’ia besonin drejtimin e skuadrës Santiago Solarit pas shkarkimit të Julen Lopetegit, por argjentinasi duket se do të jetë një zgjidhje e përkohshme në këtë detyrë, derisa të arrihet marrëveshja me një tjetër trajner të rëndësishëm.
Mediat spanjolle kanë shkruar se kandidat kryesor për të marrë drejtimin e skuadrës ‘mbretërore’, është spanjolli Roberto Martinez, aktualisht trajner i Kombëtares së Belgjikës.
Mirëpo për të bërë të mundur afrimin e 45-vjeçarit, “madrilenët” duhet të bisedojnë me drejtuesit e Federatës Belge të Futbollit, me të cilët Martinez ka kontratë deri në vititn 2020.
“Nuk kemi komente mbi kontratën që federata ka me bashkëpunëtorët e saj, sepse të dhënat i konsiderojmë private. Nëse një klub dëshiron të kontaktojë me trajnerin Martinez, më parë duhet të arrijë një marrëveshje me Federatën Belge të Futbollit,” – deklaroi zëdhënësi për shtyp i federatës së Belgjikës, Stefan Van Loock.
Nën udhëheqjen e Martinezit, “Djajtë e Kuq” e mbyllën Botërorin “Rusi 2018” në vendin e 3-të, që konsiderohet edhe arritja më e madhe në historinë e kësaj përfaqësueseje, ndërsa aktualisht udhëheqin në renditjen më të re të FIFA-s, duke lënë pas vetes edhe kampionët e Botës, Francën.