Beshiktashi mund Rizesporin e Muriqit, rikthehet në TOP4 (VIDEO)

Beshiktashi është rikthyer te fitorja, pasi sonte në ‘Vodafone Stadium’ mundi Rizesporin e Vedat Muriqit me rezultatin 4:1, njofton ‘infOSport.mk’. Me këtë fitore ‘Shqiponjat e zeza’ nga Stambolli tashmë ndodhen në TOP4 me 18 pikë, një më pak se Galatasaraji dhe Kasimpasha që ndodhen në pozitat dy dhe tre.

Pektemek vetëm pas 3 minutave lojë shënoi në rrjetën e mysafirëve, të cilët në minutën e 10-të mbetën me një futbollistë më pak në fushë pas përjashtimit të Ovaçikli. Kjo ua lehtësoi punën vendasve, të cilët 5 minuta para fundit të pjesës së parë me anë të Pektemek shënuan edhe golin e dytë.


GOLAT NGA NDESHJA BESHIKTASH-RIZESPOR MUND TI NDIQNI KËTU.


Nuk vonoi shumë dhe mbrojtësi kilian i Beshiktashit, Enco Roko shënoi në rrjetën e gabuar, duke rikthyer në ato momente shpresat e mysafirëve, të cilët në minutën e 61-të mbetën edhe me 9 futbollistë në fushë, pas kartonit të dytë të verdhë të Saddane.

Vetëm një minutë më parë Kuarezma humbi një penalti për Beshiktashin, ndërsa epërsia numerike në fushë bëri që në minutat në vijim të besuarit e Shenoll Gunesh të dominojnë në tërësi ndeshjen dhe me anë të Xhaner Erkin në të 72-tën dhe Vagner Love në minutën e 79-të, të shënojnë edhe dy gola të tjerë në rrjetën e Rizespor, për të cilën skuadër gjatë 90-të minutave luajti sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi.

Beshiktashi me këtë fitore skuadrës kryesuese të Bashakshehir i është afruar në vetëm 3 pikë.

Leave a Reply