Antuan Grizman vazhdon të jetë në shënjestër të skuadrave të mëdha të Europës. Disa ditë më parë flitej për një interesim nga francezët e PSZH-së (ofertë 150 milionë euro), ndërkohë së fundmi janë shtuar zërat për një kalim të mundshëm të tij në Itali te skuadra kampione Juventusit, e cila këtë verë bëri një ndër transferimet më të bujshme, duke marrë në rradhët e veta yllin portugez të Reait të Madridit, Kristiano Ronaldo.
Është pikërisht Ronaldo ai që e dëshiron në skuadër sulmuesin e Atletiko Madridit. Grizman shikohet nga drejtuesit ‘bardhezi’ si njeriu i duhur për të marrë vendin e Dybalës, nëse ky i fundit largohet vitin e ardhshëm, edhe pse ata e dinë shumë mirë që për ta realizuar këtë gjë duhet të derdhin në arkat e Atletikos shifrën e 150 milionë eurove, pasi klubi i Simeones nuk pranon asnjë negociatë tjetër për sulmuesin.
Kujtojmë që kjo nuk është hera e parë që ‘Zonja e Vjetër’ e kërkon sulmuesin francez, ku në prill të këtij viti tentoi seriozisht për të nënshkruar me të, por pa mundur t’ia dalë me sukses.
Megjithatë, kjo tratativë nuk është aspak e lehtë, pasi për Grizman vazhdon të jetë e interesuar edhe PSZH-ja, që e shikon si një zëvendësues të mundshëm të brazilianit Nejmar.
Gjithashtu, në listë është edhe Mançester Siti i Pep Guardiolës, i gatshëm të paguajë shifra të majme për të pasur në dispozicion shërbimet e francezit.