Dashuria midis Edinson Kavanit dhe Napolit ekziston ende. Një gjë e tillë u vërejt pas përqafimit të uruguaianit me presidentin ‘napolitan’, Aurelio De Laurentis, përpara ndeshjes si dhe vizita e fotot në dhomat e xhveshjeve të italianëve, pas barazimit 2:2 në Paris.
Sulmuesi uruguaian i PSZH-së shpeshherë është përfolur se mund të bëjë një rikthim të bujshëm në “Sao Paolo” dhe këtë e ka konfirmuar edhe avokati dhe miku i tij, Xhenaro Familjeti.
“Edinson e don Napolin, jo vetëm skuadrën, por edhe qytetin, dhe përqafimi me De Laurentisin e konfirmon këtë. Vetë Edinson nuk e ka fshehur kurrë mundësinë e një rikthimi në këtë skuadër, por sigurisht që më pas janë në lojë pretendime personale ekonomike të tij që duhet të bisedohen. Prandaj, ideja që tifozët e Napolit të shohin sërish Kavanin me bluzën e tyre mbetet shumë e hapur” – është shprehur Familjeti.
31-vjeçari Kavani pjesë e Napolit ishte për tre vite (2010-2013), ndërsa brenda periudhës së kaluar te kjo skuadër ai regjistroi 138 ndeshje dhe 104 gola të shënuar.