Çdo fillim e ka një fund dhe kështu ndodh edhe me karrierën e një legjende të gjallë të futbollit shkupjan. Portieri dhe kapiteni i FC Shkupit, Suat Zendeli, në një prononcim për TV Shenja ka paralajmruar tërheqjen nga futbolli i luajtur në moshën 37 vjeçare.
Duke i’u afruar dekadës së katërt në jetën e tij, Zendeli mendon se ka ardhur koha që të marrrë vendimin jo aq të lehtë për tu ndarë nga një profesion që e ushtron thuajse për tre dekada.
I vjen fundi një karriere të pasur e nisur te ish-Slloga Jugomagnati dhe e vazhduar përmes Dinamos së Tiranës, Apolonisë së Fierit dhe Besës së Kavajës në Shqipëri, para se të kthehej në Maqedoni ku fitoi titullin e kampionit me Shkëndijën e Tetovës dhe Kupën e Maqedonisë me Renovën.
Në mes qëndron një episod te Petrolul Ploeshti në Rumani dhe në fund rrikthim aty ku nisi, në Çair te FC Shkupi. Ky është Suat Zendeli, një lider i lindur jo vetëm mes shtyllave e që tashmë një kohë po ndjek trajnimet për trajner dhe mendon fundin e karrierës gjatë së cilës krijoi shumë miqësi dhe bashkë me klubin amë Shkupin, krijoi figurën e një legjende edhe te Shkëndija e Tetovës.
“Me licencim të ‘B’ dhe ‘A’ ndoshta sjell dalë ngadalë edhe një tërheqje time nga futbolli. Unë kisha pasur dëshirë që kur të takohemi dy ekipet e mëdha shqiptare të bëj një tërheqje madhështore. Por ndeshja me Shkëndijën luhet në Tetovë dhe un nuk do mund ta bëjë në atë ndeshje dhe si datë e kam caktuar dhe ju kam treguar edhe drejtuesve dhe ata ndoshta do ta aprovojnë që të jetë ndeshja me Vardarin në Çair për tërheqjen time përfundimtare nga klubi i Shkupit”, thotë Suat Zendeli.
Tërheqja nga futbolli i luajtur nuk nënkupton shkëputje të plotë nga ky sport, pasi vetë ndjekja e seminareve për paisje me licenca trajneri paralajmërojnë vazhdim të ndonjë pozicion tjetër, gjithmonë pranë futbollit.
“Unë siç e ceka edhe më herët jemi në bisedime me drejtuesit të cilët kanë shpalosur objektivat e tyre dhe ndoshta do të më ofrojnë një funksion në klub të cilin do ta shqyrtoj edhe unë. Normalisht pjesën më të madhe të karrierës time e kam kaluar këtu, jam rritur këtu, kam krijuar personalitetin tim dhe famën. Dhe dëshiroj që të vazhdoj këtu”, përfundon Zendeli.
Kështu Suat Zendeli komunikon se afrohet tërheqja nga sporti që i dha aq shumë dhe periudha në vazhdim pritet të zgjidhë dilemat se kur saktësisht do të ndodh kjo. E sigurtë është se gardianin shkupjan edhe shumë pak do ta shohim mes shtyllave, ndërsa sigurisht se me përvojën e fituar ai ka për t’i dhënë ende këtij sporti edhe pas tërheqjes nga futbolli i luajtur. /SHENJA/
SUAT ZENDELI PARALAJMËRON TËRHEQJEN NGA FUTBOLLIPortieri legjendar shkupjan Suat Zendeli ka paralajmëruar tërheqjen…
Публикувахте от Tv Shenja в Четвъртък, 25 октомври 2018 г.