“Sipas jush unë sot po mendoj për stolin tim? Po mendoj – nëse do të më jepet mundësia – si të zgjidh këtë problem”. Gennaro Gattuso ka reaguar kështu në konferencën për shtyp pas humbjes së dytë radhazi brenda katër ditësh. Pas derbit me Interit, edhe ndaj Betis loja mungoi. Vetëm 15 minuta në fund nuk mund të justifikojnë asgjë. “Jam përgjegjësi i parë i kësaj situate dhe, ashtu si kam thënë këto ditë, jam i lidhur me rezultatet. Kemi bërë një paraqitje që nuk i ka hije Milanit, çfarëdo që të ndodhë nuk do të ketë asnjë problem”.
“Nuk e kuptoj pse lojtarët kanë frikë dhe nuk marrin përgjegjësi. Disa herë harrohet që mendja është një faktor i rëndësishëm. Përpara ndeshjes i përgëzova për atmosferën në dhomat e zhveshjes.
“Brenda në Milanelo dhe gjatë stërvitjeve humori është shumë i mirë dhe jemi të bashkuar. Ajo që ndodh jashtë është diçka tjetër.
Nuk dalloj pesimizëm dhe mërzi te lojtarët. Por, në anën tjetër, jam shumë i shqetësuar, i mërzitur dhe i zhgënjyer. Sidomos me veten”.
Higuain është dukur sërish i nervozuar, si në derbi, teksa nuk shënon prej dy ndeshjesh: “Sigurisht nuk po kalon momentin më të mirë të formës, por është pasojë e lojës kolektive. Po e paguan edhe ai. Duhet ta vendosim në kushtet për të shënuar”.
Më pas, Gattuso vijon të shpjegojë pse ndryshimet e moduleve nuk sollën asgjë: “Nuk është një çështje moduli apo lojtarësh. Kemi humbur bindje dhe identitet. Më la gojëhapur kjo paraqitje e dobët. Betis meritoi fitoren plotësisht, na dominoi”.
“E përsëris, shoh një ekip të frikësuar. Nuk më djeg humbja, por paraqitja. Nuk e di se si do të mendoj për këtë ndeshje. Realisht kemi humbur bindjet që kishim 20-25 ditë më parë. Jemi të dobët mendërisht tani. Duhet të kuptojmë se pse u fik drita. Bëmë një paraqitje të shëmtuar, shumë të shëmtuar. Jam përgjegjësi i parë. Kemi humbur busullën”.