Liga e Kampionëve sonte kompleton raundin e tretë të ndeshjeve në grupe, ku në program janë ndeshjet në grupet A, B, C dhe D.
Mbi të gjitha spikasin tre supersfida Barcelona-Inter në grupin B, Dortmund-Atletiko Madrid në grupin A dhe PSZH-Napoli në grupin C.
Që të tre këto takime startojnë në ora 21:00.
Në ‘Kamp Nou’, Barcelona do të jetë më e dobët, pasi luan pa futbollistin e saj më të mirë, Lionel Messi, ndërsa në anën tjetër te Interi do të mungojë Raxha Naingolan.
Një sfidë që ‘zikaltrit’ e kanë pritur për vite me radhe dhe që u ka munguar jashtëzakonisht. Ikardi me shokë pas 7 fitoreve radhazi janë më të motivuar se kurrë për t’i prishur punë ‘katalunasve’ dhe pse jo për të tentuar sinfoninë e 8-të brenda në mitikun “Kamp Nou”.
Dy kroatët Brozoviç dhe Perishiç ja kanë dalë të rikuperohen në kohë ndërkohë që Barcelona përveç Messit nuk do të ketë në dispozicion dhe dy qëndërmbrojtësit Vermalen dhe Umtiti.
Ishi i madh i sfidës është padiskutim Filip Kutinjo i cili sot do të përpiqet të bëjë pikërisht Messin te Barcelona. Përsa i përket Ikardit edhe pse hapat e parë i ka hedhur te “blaugranat”, është larguar shumë i ri dhe kapiteni i Interit dëshiron vetëm të lerë shenjë me fanellën ‘zikaltër’.
Fati i mirë për Barcelonën dhe Interin është që sfida tjetër e këtij grupi, PSV-Totenham do të zhvillohet në orën 18:55 dhe të dyja skuadrat do ta kenë mësuar rezultatin para fillimit të sfidës.
Në grupin A, luhet për kreun me Borusian e Dortmundit që pret në shtëpi Atletiko Madridin. Që të dyja skuadrat kanë nga 6 pikë dhe objektivi i tyre është të mbyllin sa më shpejt çështjen e kualifikimit.
Atletikos i rikthehet në dispozicion sulmuesi Diego Kosta, ndërkohë që Lusien Favre do të mbështetet fortë te Pako Alkaser i cili është në formë të shkëlqyer për t’i shkaktuar sa më shumë dëme skuadrës së Simeones.
Sfida tjetër e këtij grupi do të luhet në orën 18:55 në Belgjikë me Tieri Henry që do të bëjë debutimin në stolin e Monakos edhe në Ligën e Kampionëve në transfertën ndaj Klub Bryzh.
Në grupin C vëmendja do të jetë e gjitha në ‘Parkun e Princërve’ aty ku PSZH-ja dhe Napoli do të luajnë një pjesë të madhe të kualifikimit, me Ançelotin që do të sfidojë ish skuadrën e tij, edhe pse parizienët janë dukshëm të favorizuar.
Në Angli Liverpulli pret Crvena Zvezdën në një sfidë ku fitorja është detyrim për ekipin e Shaqirit.
Edhe në grupin D luhen dy sfida shumë interesante, Lokomotiva e Moskës pret Porton, teksa Galatasaraji pret Shalke 04 në Stamboll.