Dy ndeshjet e para të mbrëmjes së sotme në kuadër të Ligës së Kampionëve Europian janë mbyllur me barazime, njofton ‘infOSport.mk’. Bryzh dhe Monako në kuadër të grupit A barazuan me rezultatin 1:1, teksa në ndeshjen e grupit B, PSV Ajndhoveni dhe Totenhami barazuan me shifrat 2:2.
Ishte kjo një super ndeshje, në të cilën Totenhami kishte më shumë nga loja dhe që avansonte deri në minutën e 87-të, mirëpo pikërisht në këto momente te PSV Ajndhoveni në skenë doli kapiteni De Jong, i cili barazoi rezultatin në 2:2.
Ndryshe meksikani Hirving Lozano në minutën e 30-të kaloi në epërsi PSV-në, teksa skuadra angleze falë golave të shënuar nga Lukas (39’) dhe Kejn (55’), arriti që të bëjë kthesë totale të rezultatit, mirëpo vetëm pak minuta para fundit të takimit, vendasit e PSV-së falë golit të kapitenit De Jong arriti deri tek barazimi, që erdhi në momentet kur holandezët kishin edhe epërsinë numerike në fushë, pas përjashtimit me të kuq të portierit Hugo Lloris në minutën e 79-të.
Henry me Monakon e tij në Ligën e Kampionëve debutoi me barazim 1:1 në transfertën ndaj Bryzh. Sylla ishte autorë i golit për Monakon, ndërkohë barazimin skuadrës belge i’a siguroi Ueslli.
Nga ora 21:00 në program janë edhe 6 takimet e rradhës të ditës së sotme, ku spikasin ato midis Barcelonës dhe Interit, Paris Sen Zhermenit dhe Napolit, si dhe ajo nga grupi A midis Borusia Dortmundit dhe Atletiko Madridit.