Shfaqen në humbje, ndërsa ‘zhduken’ kur fiton Shkëndija

Shkëndija të dielën shkeli Vardarin në Shkup dhe u bëri të gjithëve me dije se nuk dorëzohet para askujt. Fitore e madhe që kënaqi shqiptarët jo vetëm në Maqedoni, por edhe Shqipëri, Kosovë e gjetiu. Triumf me fuqi dhe ndikim për të bërë krenar një komb të tërë përballë nje tjetri. Por si zakonisht te ne shqiptarët asgjë nuk kalon pa e prishur me diçka që len të paplotë kënaqësinë. E pakuptimtë duket se çka ndodh me publikun, me ne që në të kaluarën ëndëronin këtë që sot është Shkëndija!?

Është e qartë se edhe gjatë kësaj periudhe të sukseseve historike të klubit ndodhin gabime edhe në menaxhim, por është krejtësisht e pakuptueshme tendenca e një pjese të ‘dashamirëve’ të Shkëndijës që e “rregullojnë” skuadrën prej në kafene apo në rrjetet sociale. Tre tituj për tre vite, prej të cilëve një kampionat dhe dy kupa dhe tre vite rresht në play off të UEFA Europa League. Shkëndija përballë Gentit, Milanit, Red Bull Salzburgut, Rosenborgut dhe ekipeve tjera Evropiane dikur ishte vetëm ëndër, e sot realitet. Dhe për ironi të krejt kësaj në opinion kemi më shumë kritika se sa lëvdata.

Fitojmë Vardarin dhe derisa të gjithë trojet shqiptare krenohen me suksesin e krenarisë tonë, ne që betohemi në Shkëndijën heshtim dhe hezitojmë të nxjerrim një urim nga goja. Paraprakisht pas çdo hapi fals në rrjetet sociale gjendeshin qindra komente me sharje e ofendime, ndërsa fitorja e Vardarit përshëndetet vetëm nga një pjesë e tifozëve të sinqertë që gjykojnë pa prapavija dhe i kënaq suksesi. Kjo është e padrejtë, pasi ashtu si meritojnë kritikë në momente negative, futbollistët dhe Shkëndija duhet të mbështeten kur janë në rrugë të duhur duke kapërcyer me sukses jo vetëm rivalët në terren. “Fshehja” s’është sinjal i mirë, apo për të mos paragjykuar më mirë thënë nuk duket e sinqertë! Impakti i fitores ndaj Vardarit edhe një herë tregoi se Shkëndija është më shumë se vetëm një klub futbolli dhe ne tifozët duhet të jemi më korrekt me qëndrimin ndaj ekipit që na bën krenarë!/InfOSport.mk

Leave a Reply