Feronikeli i Zekirja Ramadanit këtë fundjavë ka pësuar humbjen e parë në IPKO Superligën e Kosovës në xhiron e 11-të duke u mundur nga Gjilani në fushën e kësaj të fundit me rezultat 1:0.
Mirëpo edhe përkundër kësaj disfate, skuadra e Feronikelit mbetet lider në elitën e futbollit kosovar, ndërsa sipas strategut shkupjan një pjesë të meritave për këtë ka edhe paraardhësi i tij, Sulejman Starova bashkë me kryesinë e klubit që kanë bërë transferimet e duhura.
‘Kryesia së bashku me Starovën kanë bërë transferimet e duhura, unë kam problem se cilin lojtar ta ftoj në 18-she e lëre më ne 11-she, gjë që është pozitive’, – deklaroi Ramadani për ‘SuperSport Kosova’ në emisionin ‘Koha Shtesë’.
‘Kemi një kryesi të shëndoshë, kemi një ekip të shëndoshë, kur ne shënojmë gol të gjithë festojmë gëzim i madh është në bankën rezervë, thjesht jemi si një familje’, deklaroi ndër të tjera Ramadani.
Feronikeli në 11 javët e para ka tubuar 23 pikë, duke kryesuar me meritë pozitën e parë, ndërsa pas tyre me 2 pikë më pak ndodhet Prishtina që këtë fundjavë mundi KEK-un në shtëpi me rezultatin 3:0.