Rezultate të papritura u shënua në ndeshjet e së dielës në basketbollin amerikan.
Kampionët në fuqi të Golden Stejt pësuan humbjen e parë sezonale pas dy fitoreve të njëpasnjëshme në start.
Në ‘Pepsi Center’ të Kolorados, Denveri konfirmoi momentin pozitiv që po kalon duke mposhtur me rezultatin e ngushtë 100:98 skuadrën e Stiv Kerr.
30 pikë nga ylli i ‘Uarriorsave’, Stefan Keri ishin të pamjaftueshme që mysafirët të shënonin fitoren e tretë rresht në këtë fillim sezoni të NBA-së.
Tek Denveri që iu gëzua fitores së tretë në po kaq takime shkëlqyen Gari Harris me 28 pikë dhe Nikola Jokiq autori i 23 pikëve.
Hjuston Rokets dështoi në udhëtim përballë Los Anxheles Klipers me rezultatin e ngushtë 115:112.
Në ‘Stejpëlls Center’ më i miri mbi parket ishte i përhershmi Xhejms Harden me 31 pikë dhe 14 asistime, por që nuk patën vlerë për ekipin e ‘roketsave’.
Vijon kriza e Klivlend Kavaliers. Pa Lebron Xhejms skuadra nga Ohajo nuk ka më një lider dhe këtë herë u thye në shtëpi me rezultatin e thellë 133:111 nga Atlanta Houks. Disfata e tretë kjo në 3 takime për Kavaliers të cilët edhe pse e nisën shumë mirë sfidën, pësuan humbje të thellë në fund falë edhe lojës së mirë të Tri Jung i cili realizoi 35 pikë për skuadrën nga Xhorxhia.
Sakramento Kings ka shënuar fitore në transfertën ndaj Oklahoma Siti me rezultatin 131:120. Vendasve nuk u ndimhoi as paraqitja e mirë e dyshes Vestbruk – Xhorxh, të cilët realizuan 32, gjegjësisht 29 pikë, teksa te Sakramento më efikasi doli të jetë Shumpert, që ndeshjen e mbylli me 26 pikë. Për Sakramenton ishte kjo fitorja e parë në sezonin e ri, pas dy humbjeve në fillimin e kampionatit, ndërkohë Oklahoma Siti pësoi edhe disfatën e tretë të njëpasnjëshme.