
Struga Trim Lum nuk ka arritur që të shfrytëzojë barazimin e rivalëve lokal të Labunishtit për të thelluar diferencën ndaj tyre në renditje, pasi të dielën në ndeshjen e fundit të javës së 10-të në Ligën e Dytë – Perëndim barazuan ndaj Goblenit me rezultatin 1:1, njofton ‘infOSport.mk’.
Ishte kjo një ndeshje me dy pjesë të ndryshme, ku në të parën skuadra mysafire e Goblenit kishte më shumë nga loja, ndërsa në minutën e 12-të me anë të Gentian Pajazitit kaloi në epërsi. Gobleni pak më vonë shënoi edhe një gol tjetër në rrjetën e vendasve me anë të Ylber Alilit, mirëpo i njëjti u anulua pasi arbitri vendosi të tregoj goditje dënimi dhe nuk lejoi vazhdim të aksionit.
Në minutën e 3-të Struga Trim Lum kishte rastin më të mirë për të barazuar, mirëpo që të dy tentativat e sulmuesve Cvetanoski dhe Lloga u ndalën në shtyllë, që në fund topi të përfundojë në duart e Kralevskit.
Pas 5 minutave lojë në pjesën e dytë Goblen Junior mbeti me një futbollistë më pak në fushë pas përjashtimit të Zahir Memetit, ndërsa këtë më së miri në minutën e 74-të e shfrytëzoi Aleksandar Vasilev, i cili pas dy tentativave arriti që të mposhtë portierin mysafir për barazim të rezultatit në 1:1.
Fare në fund Dejan Cvetanoski kishte një rast ideal për ti dhënë fitoren skuadrës së Struga Trim Lum, mirëpo edhe pse me mjaft mjeshtëri arriti që të parabolojë portierin Kralevski, i njëjti nuk arriti që ti gëzohet golit, pasi të njëjtin i’a mohoi i riu Besim Mustafi, i cili nga vija e golit dëboi topin, duke shpëtuar skuadrën e tij nga disfata.
Struga Trim Lum mbetet në krye të renditjes me 21 pikë, 2 më shumë se Labunishta e vendit të dytë, ndërkohë Goblen Junior me 13 pikë në 10 xhirot e para mban pozitën e 5-të.
Javën që vjen Struga Trim Lum sërish do të luaj si vendas, kësaj rradhe ndaj Vëllazërimit të Kërçovës, teksa Gobleni do të jetë nikoqir i Teteksit.