FC Shkupi ka regjistruar fitoren e dytë në 10 xhiro kampionat, pasi të dielën në Çair me rezultatin e pastërt 2:0 mundi Sileksin, një kundërshtarë shumë i papërshtatshëm viteve të fundit për ekipin shkupjan, njofton ‘infOSport.mk’.
Ishte kjo fitorja e parë e FC Shkupit nën drejtimin e strategut turk, Umit Karan, i cili debutoi me barazim dy javë më parë në ndeshjen si vendas kundër Rabotniçkit.
Skuadra nga Çairi që të dy golat në këtë përballje i realizoi gjatë pjesës së dytë, ku në qendër të vëmendjes ishte braziliani Serzhinjo, që fillimisht në minutën e 50-të shënoi golin e epërsisë, ndërsa në minutën e 54-të përfitoi një penalti, të cilën në gol e shndërroi më pas Kristijan Stojkoski.
Falë kësaj fitore këto dy skuadra ndryshuan pozitat në renditje, ku tashmë FC Shkupi pozicionohet në vendin e 9-të me 9 pikë, teksa Sileksi në pozitën e fundit me vetëm 7 pikë të tubuara.