Ish-mbrojtësi i Lester Sitit, gjermani Robert Hut, beson se mesfushori i Çelzit, N’Golo Kante, është futbollisti më me ndikim në futbollin botëror.
Mbrojtësi gjerman është aktualisht pa klub, pas largimit nga Foxes në fund të sezonit 2017-2018.
Megjithatë, ai ishte një ndër futbollistët kyç te skuadra e Lester Sitit në sezonin 2015/2016, kur ‘dhelprat’ befasuan të gjithë dhe në fund u shpallën kampion.
Atë sezon mbrojtësi Hut kishte luajtur në 35 ndeshje, megjithatë asnjë futbollistë tjetër nuk ishte më i rëndësishëm për fitoren e titullit të këtij klubi sesa Kante, duke luajtur 37 ndeshje si mesfushor qendre.
Kante u bashkua me Lester Sitin në të njëjtën kohë me Hut, dhe që atëherë është transferuar te Çelzi, ku që në vitin e tij të parë arriti që të fitoj titullin e kampionit. Gjithashtu, ai u bë pikë referimi edhe te Kombëtarja e Francës, duke fituar Kupën e Botës në Rusi, gjatë verës së këtij viti.
Hut e ka të lehtë të thotë lavde rreth yllit francez.
‘Ai është lojtari më i mirë, me të cilin kam luajtur. Ronaldo, Messi…? Kanë gjithçka, me të vërtetë, por në aspektin e ndikimit në lojë, më i miri është Kante. Truri i tij punon krejtësisht ndryshe nga i futbollistëve të tjerë’ – tha gjermani për ‘The Sunday Times’.
Pavarësisht rritjes së tij të pabesueshme, Kante konsiderohet gjerësisht si një njeri i qetë jashtë fushe. Dhe Hut dëshmon të njëjtin efekt, me 27-vjeçarin që konsiderohet si lojtari më i përulur i futbollit: ‘Biseda jonë më e gjatë ishte “mirëmëngjesi”. Kur e takova për herë të parë, mendova se ishte i pasjellshëm. Por, ju mësoni shpejt se ai nuk është i pasjellshëm, por i qetë dhe i turpshëm. Nuk është rastësi që ne fituam ligën me të, edhe Çelzi, po ashtu. Franca fitoi Kupën e Botës. Kante do të ndryshonte çdo ekip, është shumë i mirë dhe një futbollist i zgjuar’.