Renova sot në kuadër të javës së 10-të në elitën e futbollit vendor do të mirëpret Rabotniçkin, njofton ‘infOSport.mk’. Pa dyshim se është kjo ndeshja më interesante pas asaj midis Vardarit dhe Shkëndijës në Shkup, ndërsa e njëjta do të na sjellë një duel midis dy super sulmuesve të talentuar, Vllatko Stojanovski të Renovës dhe Petar Petkovski të Rabotniçkit.
Që të dy u veçuan me golat e tyre gjatë rrethit të parë të ndeshjeve në kampionat, duke qenë lider te skuadrat e tyre.
Vlatko Stojanovski realizoi 7 gola me fanellën e ‘gjipspunuesve’, teksa Petar Petkovski me 6 golat e tij doli të jetë më i spikaturi te Rabotniçki.
Bëhet fjalë për dy futbollistë të rinj, të cilët edhe përkundër formës së mirë që po kalojnë, megjithatë nuk morrën ftesë nga ana e seleksionuesit të përfaqësueses U21 të Maqedonisë, Ilievski.
Edhe njëri edhe tjetri kishin shënuar edhe në ndeshjen e parë të zhvilluar në Shkup, kur Renova kishte shënuar fitore me rezultatin 4:3. Në atë ndeshje Stojanovski kishte ndihmuar Renovën me dy gola, teksa Petkovski kishte shënuar 1 gol.
Vlen të theksohet se Stojanovski 7 golat e tij i ka realizuar në vetëm 4 ndeshje, pasi në 3 prej tyre kishte realizuar nga dy gola, transmeton ‘infOSport.mk’.
Të dy futbollistët kishin realizuar edhe në ndeshjet e fundit. Stojanovski kishte realizuar dy gola ndaj Shkëndijës, teksa Petkovski kishte realizuar golin e vetëm në atë barazim 1:1 ndaj Shkupit në Çair.