Derbi i xhiros së 10-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë ndërmjet Vardarit dhe Shkëndijës i takoi ekipit tetovar që fitoi me rezultat 2:0. Përveç triumfit shumë ‘pluhur’ u çua për golin e parë të Shkëndijës i shënuar nga Emini në minutat shtesë të pjesës së parë.
Si që është zakon në ndeshjet derbi ndermjet rivalëve të mëdhenj edhe tani nuk kaloi pa polemika, mirëpo realisht kësaj here pa të drejtë nga skuadra e mundur, Vardari. Kontestimi i shkupjanëve është për golin e parë të tetovarëve, kur pas goditjes së Eminit arbitri anësorë Kushtrim Lika sinjalizoi se topi kishte kaluar vijën fatale dhe ky vendim u pranua nga kryesori Markoski që tregoi gol për Shkëndijën.
Rishikimi i pamjeve filmike provon vendim maksimalisht të drejtë të arbitrave, me Likën që ishte vendimtar në marrjen vlerësimit të duhur të situatës së krijuar. Gjithsesi vlen të ceket se përkundër polemikave të pashmangshme arbitrat në krye me Markoskin ishin në nivel të detyrës dhe me përpikmëri ndanë drejtësinë në këtë duel aspak të lehtë për tu referuar./InfOSport.mk