Shkupjani Jasin Lama nga Klubi i Boksit Shkupi është shpallur kampion shtetëror i Maqedonisë në kategorinë e boksit individual deri në 60kg.
Në kampionatin që u zhvillua në qytetin e Kumanovës, Lama fillimisht në gjysëmfinale ishte më i mirë se Kujtim Asllani, duke fituar me ndërprerje, ndërsa në finalen e madhe po me ndërprerje mundi boksierin maqedonas, Nikolla Arsovski.
Kampioni i shumëfishtë i Maqedonisë, përveç që fitoi titullin e kampionit, ai nga Federata e Boksit të Maqedonisë u vlerësua edhe si boksieri më i mirë i vendit këtë vit.
‘Jam shumë i kënaqur me titullin kampion, por më shumë edhe me vlerësimin e Federatës së Boskit, nga e cila u shpalla si boksier më i mirë i vendit. Jam përgatitur mjaft mirë për këto lufta dhe falë Zotit gjithçka shkoi sipas planit, edhe pse kisha një lëndim në dorën e majtë. Shpresoj që të shërohem sa më shpejtë dhe ky dëmtim të mos jetë pengesë për të fituar Gongun e Artë” – tha enkas për ‘infOSport.mk’ boksieri shkupjan, Jasin Lama.
Pikërisht ky event i rradhës që do të mbahet me 8 nëntor në Shkup është edhe caku i rradhës për Jasin Lamën, që vite me rradhë po dominon në boksin vendor.