Ndeshja e fundit e javës së 10-të në Ligën e Dytë – Perëndim midis liderit aktual Struga Trim Lum dhe Goblen Junior është mbyllur me barazimin 1:1, njofton ‘infOSport.mk. Në këtë mënyrë skuadra kumanovare po e dëshmon epitetin e një skuadre të specializuar për barazime. Ishte ky barazimi i 7-të në 10 xhirot e para për Goblen Junior, që po tregohet një kockë e fortë për çdo kundërshtarë.
Ishin pikërisht futbollistët nga Kumanova që avansuan të parët në ndeshjen e zhvilluar në Ohër, falë golit të shënuar nga Gentian Pajaziti në minutën e 12-të. Mysafirët në këtë pjesë patën edhe një mundësi tjetër të mirë për të arritur deri tek goli i dytë, mirëpo Ylber Alili ishte i pafat, duke goditur shtyllën.
Në pjesën e dytë Struga Trim Lum ishte kundërshtarë më i mirë, ndërsa kjo dha fryt në minutën e 74-të, kur përmes Aleksandar Vasilev barazuan shifrat në 1:1. Ishte ky njëherit edhe rezultati përfundimtarë i këtij takimi, që e mban Struga Trim Lumin në pozitën e parë me 21 pikë, dy më shumë se rivalët lokal të Labunishtit, teksa Gobleni me 13 pikë vazhdon të mbajë pozitën e 5-të.