Boksieri amerikan Deontej Vilder do të mbrojë më 1 dhjetor titullin kampion të peshës së rëndë në kategorinë WBC, kur në Los Anxhelos do të luftojë përballë Tajson Fjurit.
Një sfidë për t’u fituar kjo për boksierin e pamposhtur amerikan, 40 fitore e asnjë humbje në karrierën e tij si profesionist (39 fitore me KO), por edhe rivali i tij është një “kockë e fortë”, pasi britaniku Fjuri është një ish-kampion bote, gjithashtu i pamposhtur në ring (27 fitore e asnjë humbje). Por për Fjurin ky fakt nuk është një problem, pasi në mendjen e tij ekziston vetëm fjala “fitore”.
“Në ëndrrat e mia jam ndeshur 50 herë me Fjurin dhe 50 herë e kam mundur atë me KO. Ndaj mezi pres ta kem përballë në ring dhe ta bëj realitet këtë ëndërr kaq të bukur. Nuk është asgjë e pamundur për mua, pasi unë nuk kam frikë askënd”, – u shpreh Deontej Vilder për mediat, teksa vijon përgatitjet për këtë duel të madh që në program është në fillim të muajit të fundit të vitit.