Llapi më në fund ka emëruar pasuesin e Bylbyl Sokolit, i shkarkuar nga detyra pak ditë më parë për shkak të rezultateve të dobëta në këtë fillim sezoni në elitën e futbollit kosovar.
Drejtuesit e klubit llapjan kanë vendosur që postin e kryetrajnerit deri në fund të kampionatit t’ia besojnë Bekim Shotanit, edhe pse në garë për këtë post ishte edhe strategu tetovar, Xhengis Rexhepi, i cili aktualisht luan rolin e ndihmës trajnerit te skuadra turke e Sivaspor, por njëkohësisht edhe te përfaqësuesja A e Maqedonisë.
Shotani gjatë ditës së sotme iu bashkua futbollistëve në stërvitjen e parë, ndërsa bashkë me të te Llapi do të punojnë edhe ndihmësit e tij, Fadil Ademi, Driton Rrahmani, Ardian Sallahu e Bekim Mulliqi.
Debutimin në bankinën e Llapit, Shotani do ta ketë përballë Trepçës ’89 në Mitrovicë, ndeshje kjo që në program është të dielën (21 tetor).
Llapianët aktualisht renditen të dytët në klasifikimin e përgjithshëm të IPKO Superligë së Kosovës me 19 pikë, 4 më pak se Feronikeli i strategut shkupjan, Zekirja Ramadanit.