Telashe pa fund për Arda Turan, të cilit duket sikur i shtohen akuzat çdo ditë. Prokuroria e Stambollit ka urdhëruar një hetim për Arda Turan në lidhje me grushtin e dështuar të shtetit në Turqi në vitin 2016. Futbollisti ka përfunduar në shënjestrën e drejtësisë turke, pasi dyshohet se ka lidhje me grupin islamik të Fethullah Gylen. Ky i fundit është akuzuar direkt për organizimin e grushtit të shtetit.
Për të njëjtat dyshime është hapur një hetim edhe për lojtarin tjetër të Bashakshehirit, Emre Belozoglu, ish-lojtarin Okan Buruk dhe ish-trajnerin e Bursasporit, Bulent Korkmaz.
Sipas asaj që shkruan e përditshmja “Hürriyet”, Prokuroria dyshon se të këta persona i kanë afruar ndihmë organizatës së Fethullah Gylen, që pas grushtit të shtetit të vitit 2016 konsiderohet organizatë terroriste nga qeveria turke. Akuza të rënda për Arda Turan në një moment shumë delikat për të.
Turan rrezikon 12.5 vite burg pasi sulmoi këngëtarin Berkaj Shahin gjatë një sherri në Stamboll, por nëse vërtetohen edhe akuzat e fundit, atëherë për të gjithçka ka përfunduar. (Vipsport.al)