Dominimit të dyshes Lionel Messi-Kristiano Ronaldo në garën për ‘Topin e Artë’, si duket pas plotë një dekade, po i vjen fundi.
Në Paris në 3 dhjetor me shumë gjasa ai që do të ngrejë trofeun më të lakmuar individual do të jetë një futbollist nga Kombëtarja franceze, që këtë vit u shpall edhe kampione e Botës.
Ata që duket se janë më përpara në këtë garë janë pikërisht Antuan Grizman dhe Kylian Mbape, ndërkohë që nuk duhet nënvlerësuar as Luka Modriç, i cili fitoi çmimin e Lojtarit më të mirë të FIFA-s dhe UEFA-s.
Në fakt në javët e fundit janë rritur ndjeshëm shanset e dy sulmuesve kampionë bote për të fituar ‘Topin e Artë’, ku janë 173 gazetarë që votojnë.
Nuk është vetëm trofeu i Kupës së botës i fituar ngjatë kësaj verë që i bën këta dy futbollistë pretendentë, por edhe forma e treguar prej tyre në klubet respektive, Atletiko Madrid dhe Paris Sen Zhermen.
Griezmann ka avantazhin se ka fituar më shumë trofe ndërkombëtarë se Mbape, Liga Europën dhe Superkupën Evropiane, ndërsa 19 vjeçari ka statistika fantastike përsa u përket golave të shënuar; 7 gola dhe 3 assiste në 10 ndeshje me Paris Sen Zhermenin dhe 9 gola me Francën, të gjitha këto vetëm në vitin 2018.