Fjalët e dashurisë së Hazard ndaj Real Madridit duket se kanë vënë në punë drejtuesit e Çelzit. Sipas ‘La Gazzetta dello Sport’, ekipi londinez ka vënë në tryezë rritjen e pagës së belgut në 18 milionë euro neto në sezon dhe një zgjatje të kontratës, që përfundon në vitin 2020. Mirëpo edhe përkundër këtij fakti, qëndrimi i Hazard në ‘Stemford Brixh’ nuk është i sigurtë, duke pasur parasysh dëshirën e futbollistit për të luajtur me kampionët në fuqi të Europës.
“Nëse ndonjëherë mund të luajë për Real Madridin, do të isha shumë i lumtur. Edhe në qoftë se kurrë nuk do të luaj për Real Madridin, asgjë nuk ndryshon. Gjithmonë do të jem i lumtur te Çelzi”, – kishte deklaruar së fundmi Hazard, i cili verën e kaluar kishte një ofertë nga ana e ‘mbretërve’, por që në mënyrë eksprese u refuzua nga ana e drejtuesve të skuadrës angleze.
Përveç kësaj, ‘La Gazzetta dello Sport’ tregon se Interi mbetet shumë i vetëdijshëm për këtë operacion, teksa vazhdon përpjekjet për të siguruar shërbimet e Luka Modriç, të cilit, gjithashtu, i përfundon kontrata në vitin 2020.
Mesfushori kroat gjatë kësaj vere ishte shumë afër kalimit te ekipi ‘zikaltër’, por megjithatë Real Madridi nuk lejoi largimin e tij.
Verën e ardhshme ai do të kthehet në krye të listës së dëshirave të Interit, edhe për faktin se kroatit i mbetet vetëm një vit kontratë me ekipin madrilen.
Real Madridi i ka ofruar 10 milionë euro në sezon kandidatit të madh për të fituar “Topin e Artë” këtë vit, në mënyrë që ta zgjasë angazhimin në kryeqytetin spanjoll. Në rast se Hazard përfundon te Real Madridi, atëherë ‘zikaltrit’ do ta shihnin më të realizueshme ëndrrën e tyre për të marrë shërbimet e Modriç.