Ish klubi i Elseid Hysajt dërgon në gjyq Empolin

KF Shkodra kërkon 50 mijë euro nga Empoli për Elseid Hysaj, i cili hapat e parë i hodhi në Shkodër te klubi privat për 8 vite me radhë përpara se të kalontë në Itali.

Presidenti i klubit, Tahir Prinaçi është shprehur se do ta ndjek me kujdes këtë çështje pasi sipas rregullores së UEFA-s dhe FIFA-s i takon pagesa e kompensimit për formimin e lojtarit.

Sipas rregullores, klubi apo akademia që ka formuar lojtarin, në rast se nuk e kërkon kompensimin brenda 18 muajve, shuma i kalon Federatës Shqiptare të Futbollit. Drejtues të klubit KF Shkodra janë kujtuar me shumë vonesë për këtë çështje, të nxitur edhe nga rasti me sulmuesin Sindrit Guri që kaloi nga Kukësi të Ostende. Edhe për këtë rast klubi privat ka paditur klubin e Kukësit dhe kërkon shumën e 14 mijë eurove që u takon për formimin e lojtarit.

Por nëse për Gurin janë në kohë nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Hysajn pasi kanë kaluar shumë vite. Gjithsesi presidenti Tahir Pirnaçi, i cili e ka trajnuar Hysaj kur ishte i ri është shprehur se do e ndjekë deri në fund këtë çështje ndërsa zbuloi se Empoli ka dërguar në Shqipëri një shifër prej 50 mijë eurosh, por nuk kanë shumë informacion se ku kanë shkuar paratë.

Ai shtoi se i kanë bërë një kërkesë klubit italian për të marrë një përgjigje se ku shkuan paratë por deri më tani nuk kanë marrë asnjë informacion.

 

Leave a Reply