Prokuroria turke ka ngritur akuzë kundër Arda Turan, për të cilin kërkon një dënim me burg në kohëzgjatje prej 12 vite e gjysmë.
Prokurori beson se futbollisti ka kryer disa veora penale, si ‘shkelje të sigurisë publike’, ‘lëndime të shkaktuara me dashje’ si dhe ‘armëmbajtje pa leje’.
Këto akuza bazohen në padinë e ngritur nga ana e këngëtarit të njohur turk, Berkaj Shahin, me të cilin Arda Turan kishte një përleshje fizike në një nga diskotekat e Stambollit. Deri te përleshja fizike kishte ardhur për shkak ngacmimit të gruas së këngëtarit nga ana e Arda Turan, me ç’rast fillimisht kishte pasur një mosmarrëveshje verbale, e cila kishte përfunduar me një rrahje dhe me një frakturë të hundës së këngëtarit.
Pas gjithë kësaj Berkaj Shahin bashkë me të shoqen ishin dërguar drejt spitalit më të afërt, ndërsa Arda Turan i kishte përcjellë ata, madje duke gjuajtur me armë në ajër.
Sipas asaj që ka deklaruar vetë futbollisti, ai në spital kishte shkuar për të kërkuar falje për shkak sjelljes së tij jo të hijshme, duke pohuar se kishte qenë i pirë në ato momente.
Prokuroria gjithashtu ka përgatitur edhe një akuzë kundër këngëtarit për shkak ‘fyerjeve’, e që rrezikon burg prej dy vitesh.