Ndeshja do të gjykohet nga arbitri italian, Paolo Mazzoleni. Ekipi izraelit vjen pas triumfit të pak ditëve më parë ndaj Skocisë, me përmbysje rezultati, duke ndalur njëkohësisht një seri prej 4 humbjesh radhazi në shtëpi. Gjithsesi, ajo ishte vetëm fitorja e dytë në 11 ndeshjet e fundit për izraelitët.
Izraeli do të ketë mundësi të “hakmerret” dyfish, qoftë për humbjen 1-0 të pësuar “Elbasan Arena” sërish në kuadër të Ligës së Kombeve, ashtu dhe për humbjen e turpshme 3-0 përballë kuqezinjve në qershor të vitit 2017, kur drejtoheshin asokohe nga Gianni De Biasi.
Problemi kryesor për Izraelin mbetet shënimi i golave, teksa statistikat tregojnë se dy golat e shënuar ndaj skocezëve erdhën për herë të parë që prej marsit të vitit 2017, që kombëtarja e vendit hebre shënon në një sfidë të vetme.
Sa i përket renditjes në FIFA, Izraeli është vetëm 5 vende larg pozicionit më të ulët të regjistruar ndonjëherë (vendi i 98), duke mbajtur aktualisht vendin e 93-të.
Shqipëria, e cila renditet aktualisht në vendin e 57, vuan gjithashtu për shënimin e golave. Kuqezinjtë kanë shënuar vetëm dy gola në 6 takimet e fundit, ndërkohë që në 25 përballjet e fundit mbahen mend vetëm 3 raste kur ne kemi shënuar 3 ose më shumë gola, dy prej rasteve në fushë të huaj, përfshi edhe triumfin ndaj vet izraelitëve edicionin e kaluar.
Kuqezinjtë kanë gjithashtu një bilanc disi më të mirë jashtë fushe, sesa kur luajnë brenda. Konkretisht bëhet fjalë për 4 fitore, një barazim dhe 5 humbje në ndeshjet e luajtura jashtë dhe 3 fitore, një barazim e 6 humbje në takimet brenda.
Por, statistikat tregojnë gjithashtu se në sfidat e luajtura jashtë Shqipërisë, kuqezinjtë janë edhe më argëtues, pasi në 10 takimet e fundit jashtë është regjistruar një mesatare prej 2.8 golash për ndeshje.
Nëse duhet të veçojmë dy lojtarë për t’u pasur kujdes, ata janë Ben Sahar për Izraelin, i cili udhëhoqi ekipin ndaj Skocisë, si dhe Bekim Balaj, golashënuesi më i mirë me 4 gola i skuadrës aktuale të Shqipërisë.
Në 3 përballjet e drejtpërdrejta mes këtyre dy ekipeve janë regjistruar 9 kartonë të verdhë dhe 2 kartonë të kuq. Por, për izraelitët ka pasur vetëm një ose asnjë kartona në 7 prej 10 ndeshjeve të fundit. Ndërsa kuqezinjtë regjistrojnë edhe një tjetër statistikë: 61% e golave në 10 ndeshjet e fundit janë shënuar në pjesën e dytë.(TCH)