Java e 9-të në Ligën e Dytë – Perëndim sjellë derbin shqiptarë midis Goblenit dhe Vëllazërimit. Është kjo një ndër ndeshjet më interesante të kësaj jave, ku ekipi i Goblenit do të jetë në kërkim të fitores së parë si vendas këtë edicion.
Skuadra debutuese e Goblenit në 4 ndeshjet e deritanishme të zhvilluara në Kumanovë kishte arritur po aq barazime, ndërsa duke pasur parasysh stadiumi i Bashkimit në Kumanovë nuk rezultoi me fat për skuadrën e tyre, drejtuesit e skuadrës kumanovare kanë vendosur që këtë ndeshje si vendas ta zhvillojnë në stadiumin e Maxharit në Shkup.
‘Na pret një ndeshje e fortë kundër Vëllazërimit, një ndër skuadrat që kërkon inkuadrim në Ligën e parë. Mirëpo edhe përkundër këtij fakti ne të do të mundohemi ti marrim tre pikët e para si vendas, edhe pse këtë ndeshje do ta zhvillojmë në një fushë asnjënëse në Maxhari’ – u shpreh enkas për ‘infOSport.mk’ kapiteni i Goblen Junior, Ylber Alili.
Për dallim nga skuadra vendase e Goblenit që nuk ka probleme fare me futbollistë të lënduar, apo suspenduar, një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për mysafirët nga Kërçova që sot në Shkup janë të detyruar të luajnë pa shërbimet e Kushtrim Ballazhit, zëvendës kapitenit Abdulla Sejdini, mesfushorit të talentuar shkupjan, Altin Sefo, Arlind Alitit si dhe mesfushorit Armend Aliu, i cili në ndeshjen e fundit kampionale ndaj Gostivarit ishte ndëshkuar me karton të kuq. Lajm i mirë për trajnerin Islami është rikthimi i qendërmbrojtësit Shaip Tela, ndërsa gjithashtu me ekipin e Vëllazërimit pritet të debutojë edhe Mentor Rexhepi, i cili për shkak të një lëndimi deri më tani nuk ishte aktivizuar në asnjë ndeshje me skuadrën kërçovare. Ndeshja Goblen Junior – Vëllazërimi starton në ora 14:30.