Pas marrëveshjes me brazilianin e talentuar, Pakueta, i cili vlerësohet si Kaka i ri i Milanit, drejtuesit “kuqezi” po mendojnë edhe për një emër tjetër në mesfushë.
Duke pasur parasysh problemet në këtë repart, Leonardo dhe Maldini po kërkojnë një mesfushor të aftë, i cili di të ndërtojë dhe njëkohësisht të mbrojë.
Emri i piketuar prej kohësh është ai i Leandro Paredes, argjentinasit të Zenitit, i cili ka nisur sezonin e dytë në Rusi. Zeniti e bleu nga Roma për 23 milionë euro në verën e vitit 2017, ndaj nuk do të jetë një tratativë e thjeshtë, por Milani shpreson te dëshira e futbollistit për t’u kthyer në Itali.
Ndërkaq, klubi kuqezi po vëzhgon edhe situatën e mesfushorit uellsian Aron Ramzi, i cili del i lirë në treg verën e ardhshme dhe Arsenali mund ta shesë që në janar, për të mos e humbur falas. Gjithsesi, Ramzi është futbollist që ndiqet nga klubet më të mëdha në botë dhe Milani në këtë drejtim është në disavantazh të madh.