Gjibraltari ka bërë një surprizë të madhe në ndeshjet e para të xhiros së tretë të Ligës së Kombeve, duke mundur Armeninë në ndeshjen e parë të grupit të katërt të Ligës ‘D’, njofton ‘infOSport.mk’. Është kjo një dhuratë shumë e madhe për Maqedoninë, që me fitore eventuale ndaj Lihtenshtejnit thuajse do të siguronte që tani pozitën e parë në grup.
Gjibraltari shënoi fitore minimale 0:1 ndaj Armenisë së Mikhtarian, ndërsa me këtë kjo kombëtare shkruajti historinë, duke pasur parasysh se arriti fitoren e parë në një ndeshje zyrtare. Ndryshe ishte kjo fitorja e tretë në përgjithësi për Gjibraltarin, skuadër kjo që dy fitoret e para i kishte arritur në ndeshje miqësore, edhe atë kundër Maltës dhe Letonisë.
Ndryshe golin e vetëm dhe të fitores për Gjibraltarin në transfertën në Erevan e realizoi Zhozef Çipolina në minutën e 50-të nga pika e bardhë.
Ishte kjo fitorja e parë për Gjibraltarin që në këtë mënyrë barazohet me pikë me Armeninë dhe Lihtenshtejnin, ndërsa Maqedonia me dy fitore nga po aq ndeshje ndodhet në pozitën e parë me 6 pikë. Fitorja ndaj Lihtenshtejnit do të riste epërsinë e pikëve të përfaqësueses së Maqedonisë në +6 pikë ndaj rivalëve të saj, duke konfirmuar kështu kandidaturën e saj serioze për atë pozitë të parë që siguron fazën e dytë të garave në kuadër të Ligës ‘D’.