Kombëtarja e Shqipërisë në futboll po vijon përgatitjet për ndeshjen e së dielës në Beer Sheva, kundër Izraelit. Në prag të këtij takimi në kampin kuqezi po ndodhin disa zhvillime të paparashikueshme.
Për shkak të problemeve fizike, konkretisht tërheqjeve muskulare të pësuara gjatë ndeshjes miqësore ndaj Jordanisë, futbollistët e ekipit kombëtar, Frederik Veseli dhe Ylber Ramadani janë larguar nga grumbullimi, për të vijuar me fazën riaftësuese në klubet e tyre.
Kështu trajneri Kristian Panuçi, nuk i ka lënë asgjë rastit dhe menjëherë në vend të tyre ka ftuar dy futbollistë të tjerë. Fjala është për mbrojtësin Ivan Balliu dhe mesfushorin Sabien Lilaj, të cilët do t’i bashkohen kombëtares në Durrës brenda ditës së sotme.
Që të dy këta futbollistë do të jenë në dispozicion të trajnerit Panuçi për ndeshjen ndaj Izraelit, e cila do të luhet më 14 tetor, ora 20:45, në Beer Sheva.