Tjetër lajm i trishtë për futbollin shqiptar, sidomos për atë durrsak, që humbet një ikonë të kësaj loje në vitet 1955-1975. Gjatë ditës së sotme është ndarë nga jeta mjeshtri i madh, Filip Xhaji, një figurë tepër e rëndësishme në qytetin bregdetar. Federata e Futbollit, i shpreh ngushëllimet familjes dhe komunitetit të futbollit, për këtë humbje të madhe.
“Filip Xhaji ka qenë një futbollist që punoi fort bashkë me brezin e lojtarëve të mirë të viteve 1955-1970 të “Lokomotivës” së dikurshme (sot Teuta) për të ridimensionuar vlerat e traditat më të mira të futbollit në qytetin bregdetar. Pas lënies së karrierës ka punuar shumë vite në detyrën e trajnerit. Kryesisht për moshat e reja nga 11-19 vjeç. Për shumë vite me radhë është përkujdesur në Durrës për talentet e reja, afirmimin e tyre jo vetëm te Teuta por edhe në ekipet Kombëtare të grupmoshave dhe Kombëtaren e madhe kuqezi të Shqipërisë. Federata Shqiptare e Futbollit i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes se mjeshtrit durrsak Filip Xhaji.”