Skuadra e FC Shkupit gjatë ditës së nesërme në stadiumin e Çairit do të zhvillojë një miqësore luksi ndaj skuadrës së pamposhtur në Ligën e Dytë – Lindje, Borecin, njofton ‘infOSPort.mk’. Do të jetë ky një rast i mirë për të dy trajnerët Umit Karan dhe Gorazd Mihajllov për të mbajtur në formë futbollistët e tyre, të cilët do të pauzojnë për shkak paraqitjeve të përfaqësueseve të Maqedonisë.
Te FC Shkupi do të mungojnë 3 futbollistë, të cilët janë të angazhuar me përfaqësueset përkatëse. Besir Ramadani ka angazhim në kombëtaren shqiptare U21, sikurse edhe Rron Broja me përfaqësuesen e Kosovës U21, ndërkohë Basilio Ndong ka marrë ftesë përsëri nga reprezentacioni i tij, Guineja Ekuatoriale.
Në anën tjetër te Boreci do të mungojnë dy sulmuesit Bojan Kolevski dhe Marko Gjorgievski, që janë pjesë e përfaqësueses U19 të Maqedonisë.
Ndeshja FC Shkupi – Boreci starton në ora 15:00.