Edhe pse kanë kaluar vetëm dy muaj nga nisja e sezonit të ri futbollistik, shumë futbollistë të Mançester Junajtedit megjithatë kanë filluar të mendojnë për klubin e tyre të rradhës.
Siç shkruan “Daily Mail” sot, disa futbollistë janë të mërzitur me trajnerin Hoze Murinjo, ndërsa një pjese të vogël të futbollistëve ju përfundojnë kontratat, ndërsa e gjithë kjo situatë mund të shkaktojë një eksod të vërtetë verën e ardhshme te Mançester Junajtedi, pasi sipas të njëjtit burim deri në 10-të futbollistë pritet ta braktisin skuadrën nga ‘Old Traford’.
Një nga largimet më të rëndësishme mund të jetë portieri David De Gea, gjendjes së të cilit, gjithashtu, i bën jehonë “Daily Telegraph”.
Portieri spanjoll është një nga njëmbëdhjetë lojtarët, që kanë kontratë edhe këtë sezon. Ai ka mundësi për ta zgjatur kontratën me ‘Djajtë e Kuq’ edhe për një vit tjetër, por mbas 12 muajsh ekziston rreziku i largimit të tij si lojtar i lirë.
Takimi i fundit i përfaqësuesit të portierit, Zhorge Mendesh, me drejtuesit e klubit u zhvillua të premten e kaluar, në Londër. De Gea kërkon garanci për projektin sportiv, pas shtatë sezonesh te Mançester Junajtedi, ku vetëm një herë e ka fituar titullin në Premierligë (2012-2013).
Përveç De Geas, edhe dy spanjollëve të tjerë ju përfundojnë kontratat në qershorin e vitit 2019-të. Përtej kësaj date, e ardhmja e Huan Matas dhe Ander Herrera në “Old Trafford” është e pasigurtë. Në rastin e këtij të fundit, vullneti i tij është për të rinovuar, por, siç vë në dukje “Daily Mail”, oferta ekonomike e klubit nuk i ka plotësuar pritshmëritë e futbollistit spanjoll, i cili ka gjasa që në janar të kthehet te ish klubi i tij, Atletik Bilbao.
Megjithatë, shqetësimi më i madh për klubin anglez është Poll Pogba, futbollisti i cili vetëm dy vite më parë u ble nga Juventusi si transferimi më i shtrenjtë në botë (më pas u parakalua nga Nejmar, kur për shumën e 222 mln eurove nga Barcelona kaloi te PSZH-ja).
Edhe pse me një kontratë deri në vitin 2021, konfrontimi i mesfushorit francez me trajnerin Hoze Murinjo tashmë është i njohur për të gjithë. Madje, lojtari këmbëngul se klubi duhet t’i sigurojë një rrugëdalje në janar, ndërsa e gjithë këtë situatë nga jashtë me mjaft vëmendje po e përcjellin Barcelona dhe ish klubi i tij, Juventusi.
Më lehtë për t’u vendosur do të ishte për emrat e tjerë, si Luka Shou, Antonio Valencia, ose Entoni Martial.
Dy të parëve iu përfundon kontrata në fund të sezonit dhe vendimi për të rinovuar do të varet nga e ardhmja e Hoze Murinjos në bankinën e Junajtedit.
Në rastin e Martial, Mançester Junajtedi ka si me De Gean, një mundësi për të rinovuar automatikisht edhe për një vit tjetër.
Erik Bejlli, për të cilin “Djajtë e Kuq” Viljarealit i kishin paguar 38 milionë euro, e sheh veten jashtë kontrate në vitin 2020.
Lista e futbollistëve me shenjat e largimit nga “Old Traford”, që i përmend “Daily Mail”, përfundon me Eshli Jang dhe Fil Xhons.
Përveç 10 futbollistëve të lartëpërmendur që janë të gatshëm të largohen nga Junajtedi, kontratat në fund të sezonit gjithashtu ju përfundojnë edhe futbollistëve si Matteo Darmian, Kris Smolling dhe Andreas Pereira.