Skuadra kryesuese e Borusia Dortmundit ka regjistruar edhe një fitore atraktive në Bundesligë, duke mbyllur pauzën në Bundesligë në pozitën e parë. Këtë herë skuadra nga “Vestfalen” mundi Augsburgun me rezultatin 4:3 para tifozëve të vetë, falë “tripletës” së Pako Alkaser.
I rikthyeri në kombëtaren spanjolle golin e fitores e shënoi në minutën e 96-të, edhe pse arbitri kishte treguar 4 minuta shtesë. Goli i katërt dhe i treti i shënuar personal nga ana e spanjollit erdhi nga gjuajtja e lirë, ndërsa solli një gëzim të paparë në mesin e tifozëve vendas, të cilët si gjithnjë janë futbollisti i 12-të i Dortmundit.
Duhet theksuar se Pako Alkaser në këtë ndeshje u inkuadrua në 30 minutëshin e fundit të takimit, ndërsa vetëm pas dy minutave të kaluara në fushë arriti që të shënojë golin e parë, teksa golin e dytë e realizoi në minutën e 80-të. Një gol tjetër për Dortmundin në këtë ndeshje realizoi Mario Getze, teksa në anën tjetër për Augsburgun golat i realizuan Finbogason, Maks dhe Gregoritsh, i cili në minutën e 87-të i dha shumë shpresa skuadrës së tij se nga “Sinjal Iduna Park” mund të largohet me barazim, mirëpo në minutën e 6-të shtesë në skenë sërish doli Alkaser duke shënuar golin e tretë dhe gjithsej të 6-tin në Bundesligë, ndërsa në asnjë ndeshje deri më tani nuk kishte luajtur si titullarë.
Dortmundi me 17 pikë kryeson vetmuar renditjen tabelare në Bundesligë, duke lënë pas vetes Bajernin e Munihut me 13 pikë, e që në këto momente po e zhvillon ndeshjen e javës së 7-të kundër Borusia Menhengladbahut.