Futbollisti me origjinë nga Kumanova, Naser Aliji, prej muajsh stërvitej me ekipin e ligës së tretë zvicerane, FC Baden.
Ky është ekipi i parë në karrierën e Alijit, është qyteti, ku futbollisti nga Maqedonia është rritur dhe ku aktualisht jeton edhe familja e tij.
Por, përse Naser Aliji vendosi të rikthehej në këtë qytet? Arsyeja është e trishtë dhe këtë Naseri e shpjegoi në një intervistë për të përditshmen zvicerane, ‘Blick.ch’.
‘Pasi më mbaroi kontrata me Virtus Entella kisha disa oferta, por vendosa të rikthehem në Baden për të qëndruar pranë familjes. Babai im u diagnostifikua me kancer dhe vendosa që këto muajt e fundit të jetës së tij t’i qëndroj pranë. Babai, fatkeqësisht ndërroi jetë para 4 ditësh’, – u shpreh Aliji.
Shkrimi i “Blick” lidhur me Naser Alijin:
Dhjetë vjet më parë, Naser Aliji kaloi nga ekipi i Aarau te të rinjtë e FC Basel. Ai arriti bashkë me Breel Embolo në ekipin e parë, pasi u konsiderua si një futbollistë mjaft premtues, madje edhe më i madh se sulmuesi aktual i Shalke 04, i cili ishte disa herë kampion dhe tani luan në Ligën e Kampionëve.
Futbollisti i kombëtares shqiptare u transferua në klubin gjerman të Kaizerslauternit dhe më vonë në Itali, në divizionin e tretë, te skuadra e Virtus Entella.
Naseri Aliji është kthyer në shtëpi që nga vera. Për një arsye të trishtuar: babai i tij ishte i sëmurë rëndë, me kancer. Ai vdiq të dielën e kaluar.
‘Çdo gjë në jetë e ka një qëllim. Në verë nuk isha i zhgënjyer vetëm se nuk kisha një klub. Papritmas, kuptova se duhet të kaloja kohë me babain tim. Ai ishte në muajt e tij të fundit të jetës’ – thotë Aliji.
Për shkak të situatës familjare të krijuar, Aliji nuk pranoi asnjë kontratë në Itali gjatë kësaj vere, pavarësisht interesimit të disa klubeve. Për disa javë, mbrojtësi i majtë u stërvit me skuadrën e FC Baden, për të ruajtur formën e tij sportive.
Qëllimi i tij është një kontratë në Superligën zvicerane, ose e një klub ambicioz në ‘Challenge League’ (Liga e Dytë e Zvicrës).