Milani ka regjistruar fitoren e dytë në po kaq ndeshje në Europa League, teksa mposhti me përmbysje, me rezultatin 3-1 skuadrën nga kryeqyteti grek, Olympiacos.
Grekët befasuan skuadrën e Gattusos që në minutën e 14’, kur Guerrero dërgoi topin në rrjetën e portës së mbrojtur nga Pepe Reina dhe kaloi në avantazh të tijtë, rezultat që mbeti në fuqi në pjesën e parë.
Kuqezinjtë u zgjuan vrullshëm në pjesën e dytë dhe arritën të mbyllin në gjysmëfushë Olympiacosin, ndërsa barazimi u arrit vetëm në minutën e 70’, pas golit të shënuar nga sulmuesi i ri Patrick Cutrone.
Më pas në të 76-ën ishte radha e Gonzalo Higuainit që të kalonte në avantazh Milanin dhe vetëm 3 minuta më vonë, ishte sërish Cutrone që shënoi golin e dytë personal dhe siguroi fitoren e kuqezinjve me rezultatin 3-1.
Fitore mori edhe Arsenali, që mposhti në Baku skuadrën e Qarabagut, me rezultatin e thellë 0-3, në një sfidë ku titullar për vendasit ishte edhe ish kapiteni i Shqipërisë, Ansi Agolli.
Bayer Leverkusen mposhti me rezultatin 4-2 qipriotët e AEL Larnakës, ndërsa Leipzig triumfoi me rezultatin 1-3 në Norvegji ndaj Rosenborgut dhe Bordeaux u “befasua” nga danezët e Copenhagen, të cilët fituan në Francë me rezultatin 1-2.