Komiteti Olimpik Ndërkombëtar kërcënoi me heqjen e boksit nga Lojërat Olimpike për shkak të shqetësimeve se një biznesmen uzbek, i akuzuar për lidhje me krimin e organizuar, kandidoi, pa kundërshtar, për president të Shoqatës së Boksit Amator.
Shqetësimet u ngritën pasi një listë e shoqatës së boksit përfshiu biznesmenin Gafur Rakhimov si të vetmin kandidat për president, që do të votohet në kongresin e muajit të ardhshëm të Shoqatës Ndërkombëtare të Boksit në Moskë.
Rakhimov, vitin e kaluar, është përshkruar nga Departamenti amerikan i Thesarit si ‘një nga kriminelët kryesorë të Uzbekistanit dhe një person i rëndësishëm i përfshirë në tregtinë e heroinës’.
Rakhimov i ka mohuar akuzat.
Pas njoftimit se Rakhimov do të garojë pa kundërkandidat, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar tha se bordi i tij ‘shprehu shqetësimin e vazhdueshëm për situatën e rëndë në kuadër të Shoqatës Ndërkombëtare të Boksit dhe qeverisjen e saj aktuale’.
Derisa çështjet e qeverisjes të mos adresohen, Komiteti tha se ‘ekzistenca e boksit në programin olimpik dhe madje njohja e Shoqatës Ndërkombëtare të Boksit janë nën kërcënim’.
Boksi është në program në çdo olimpiadë që nga viti 1920.(REL)