Legjenda e ‘Djajve të Kuq’, Poll Skolls, nisi një sulm të jashtëzakonshëm ndaj trajnerit aktual të ish skuadrës së tij, Hoze Murinjo, të martën në mbrëmje, duke deklaruar se ishte i befasuar që portugezi nuk është shkarkuar akoma, ndërsa e akuzoi të njëjtin edhe për ‘turpërimin’ e klubit.
Murinjo po lufton për ta shpëtuar postin e tij në ‘Old Traford’, pas fillimit më të keq të një sezoni nga ‘Djajtë e Kuq’ prej 29 vitesh. Ai është justifikuar me kritikat publike kundër futbollistëve të tij dhe hierarkisë drejtuese të klubit.
Por, ish-mesfushori i Junajtedit, Poll Skolls, beson se Murinjo duhet të ishte shkarkuar pas disfatës me Uesh Hamin në fundjavë: ‘Unë jam ulur këtu, në fakt i habitur se si Murinjo mbijetoi pas së shtunës, performanca ishte kaq e keqe. Ai vazhdimisht ka pasur një të shkuar problematike me futbollistët. Murinjo është duke ecur mbi këto gjurmë, sepse nuk po merr atë që dëshiron. Mendoj se goja e tij është ndoshta jashtë kontrollit. Madje, gjykoj se ai po e turpëron klubin’.
Ish-bashkëlojtari i Skolls, Rio Ferdinand, gjithashtu i tha ‘BT Sport’ se Murinjo duhet të marrë përgjegjësinë përfundimtare për problemet te Mançester Junajtedi.
‘Nuk ka një etikë pune. Qëndrimi i trajnerit nuk duket i drejtë. Te Mançester Junajtedi njerëzit janë mësuar të fitojnë në futboll. Futbolli nuk është i lehtë, duhet të punosh shumë. Ky është një tipar themelor i çdo futbollisti, apo çdo skuadre, që të jetë i suksesshëm. Ky ekip nuk e ka këtë. Dhe nga vjen kjo? Natyrisht, nga drejtimi. Çdo skuadër futbolli ka një person në krye, që është trajneri. Murinjo bie brenda me këmbët e tij’ – është shprehur tha Ferdinand.
Pas barazimit 0:0 me Valencian mbrëmë në ‘Old Trafford’, në ndeshjen e dytë të fazës së grupit të Ligës së Kampionëve, Murinjo aludoi mbi aftësitë e lojtarëve të tij në mbrojtje, duke thënë se ‘Mançester Junajtedi nuk ka cilësi teknike për të ndërtuar nga mbrapa’.
Por, Ferdinand dhe Skolls, morën në analizë arsyetimin e fjalëve të Murinjos. Skolls tha: ‘Kur një nga ekipet e tij është përpjekur ndonjëherë të luajë nga prapa, gjithsesi? Ato gjithmonë kanë qenë shumë mirë në mbrojtje, nuk kanë qenë ekipe të futbollit total, që iu pëlqente të luanin nga prapa. Ky justifikim nuk qëndron, nuk u jep besim lojtarëve’.
Ndërkohë lidhur me këtë temë, Rio Ferdinand shtoi: ‘Unë nuk do të doja të isha një nga mbrojtësit qendrorë në atë skuadër, nëse Murinjo po fliste për mua, ashtu’. Murinjo përsëriti thirrjen e tij për lojtarët: ‘Kriza në gjoks është më e rëndësishme se emri në pjesën e pasme të fanellës’.
Megjithatë, trajneri portugez insistoi se nuk kishte nevojë për ndonjë “votëbesim” nga shefi i Mançester Junajtedit, Ed Vudvard, për të ardhmen e tij: ‘Nuk kam nevojë për një SMS të mirë. Nuk më duhet një njeri, që rreh shpatullat e mia. Kam kontratë deri në qershor të vitit 2020. Unë mendoj se përgjegjësia e momenteve të mira dhe të këqija duhet të ndahet nga shumë njerëz. Pra, nuk kam nevojë për një mbështetje, apo përqafim. Nuk kam nevojë për asgjë’.