Ismaili shënon sërish për Gostivarin, megjithatë Pobeda kalon në çerekfinale

Aventura e Gostivarit në kuadër të Kupës së Maqedonisë përfundoi në fazën  e 1/8-ve të finales, pasi sot skuadra e trajnerit Erxhan Menga u eliminua nga Pobeda me rezultatin e përgjithshëm 6:2, njofton “infOSport.mk”.

Pas disfatës 2:1 në terren vendas, sot Gostivari në Prilep pësoi disfatë 4:1, ndërsa sërish në listën e golashënuesve për skuadrën gostivarase u regjistrua shkupjani Fatih Ismaili. Ky i fundit kishte shënuar edhe në ndeshjen e fundit kampionale ndaj Pelilsterit, duke konfirmuar formën e mirë në të cilën ndodhet.

Sa u përket golave të shënuar nga ana e futbollistëve të Pobedës, ato mbajnë firmën e Vellkovskit, Geshoskit, Efremovit dhe Timovskit.

Në 30 minutëshin e fundit të takimit trajneri i Pobedës, Toni Meglenski në lojë inkuadroi edhe tre debutues, në mesin e të cilëve ishte edhe portieri Antonio Stoleski, që debutoi me 16 vjete e 5 muaj, duke zëvendësuar kapitenin  Tofiloski.

Leave a Reply