Juventusi ka regjistruar edhe fitoren e dytë në kuadër të Ligës së Kampionëve, duke shënuar një fitore tjetër të sigurtë, kësaj rradhe 3:0 ndaj kampionëve të Zvicrës, Jang Bojs në grupin “H”, teksa Siti iu gëzua fitores së parë në grupin “F”, duke mundur në transfertën skuadrën gjermane të Hofenhajm, njofton “infOSport.mk”.
Figurë qendrore në fitoren 3:0 të “Zonjës së Vjetër” në mungesë të Kristiano Ronaldos, doli të jetë Paulo Dybala, i cili shënoi që të tre golat, ndërsa fitoren Sitit ndaj Hofenhajmit i’a siguroi spanjolli David Silva me golin e realizuar në minutën e 87-të. Deri në ato momente rezultati në semafor tregonte shifrat 1:1, ku vendasit kishin shënuar të parët me anë të Belfodil që në minutën e parë, teksa Aguero vetëm 7 minuta më pas kishte arritur që të barazojë rezultatin.
Ishte kjo fitorja e parë për Sitin në kuadër të grupit “F”, duke pasur parasysh se “qytetarët” në ndeshjen e parë si vendas ishin mundur nga Lioni.