Ardian Nuhiu gati për tu rikthyer te FC Shkupi!?

Vetëm 8 xhiro të kaluara, ndërsa FC Shkupi tashmë ka ndërruar dy trajner. Pas largimit të Zekirja Ramadanit pas xhiros së dytë dhe pas atij eliminimi të turpshëm ndaj Kit Go në raundin e parë të Kupës së Maqedonisë, drejtuesit e skuadrës nga Çairi vendosën që postin e trajnerit t’ia besojnë strategut jo edhe aq të njohur turk, Hajati Sojdash, shkruan “infOSport.mk”.

Ky i fundit udhëhoqi klubin në 5 ndeshje kampionale, në të cilat regjistroi vetëm një fitore si vendas ndaj Makedonija GJ.P, ndërsa pësoi në 4 ndeshjet e tjera përballë kundërshtarëve si Shkëndija (1:2), Vardari (1:2), Bellasica (0:1) dhe Renova (0:2). Pikërisht disfata e fundit i dha fund durimit të drejtuesve të FC Shkupit, të cilët me shumë gjasa në Çair do të rikthejnë ish trajnerin e tyre Ardian Nuhiun, i cili javë më parë u zyrtarizua si ndihmës i Shpëtim Duros te skuadra kampione e Kosovës, Drita.

Nuhiu me Dritën firmosi kontratë dy vjeçare, ashtu që tashmë mbetet që bosedimet të zhvillohen në nivel klubesh, dy klube këto që kanë raporte mjaft të mira tashmë disa vite me rradhë.

Me shumë gjasa nëse gjejnë një gjuhë të përbashkët drejtuesit e klubit nga Çairi me ata të skuadrë gjilanase, vendin e ndihmës trajnerit te Drita do ta pasonte trajneri i deritanishëm i Renovës, Jeton Beqiri, me të cilin Shpëtim Duro ka punuar edhe te Shkëndija në dy periudha të ndryshme, por gjithashtu edhe te Flamurtari i Vlorës.

Janë këto vetëm disa opcione, të cilat pritet të marrin formën e duhur brenda kësaj jave.

Leave a Reply