Gostivari ka pësuar disfatën e parë nën drejtimin e trajnerit Erxhan Menga, pasi sot në kuadër të javës së 7-të u mund në transfertën në Manastir nga Pelisteri me rezultatin 2:1, njofton “infOSport.mk”.
Bllagojçe Gllavevski paralajmëroi fitoren e parë në sezonin e ri për Pelisterin duke shënuar në minutën e 17-të, ndërsa vetëm pas 8 minutave lojë në pjesën e dytë, Bllagoja Naumoski shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e skuadrës së Gostivarit, e cila duhet cekur se nga minuta e 25-të luante me një lojtar më pak, pas përjashtimit me të kuq të portierit Artan Iljazi.
Ishte pikërisht ky ndëshkim i portierit që ndikoi edhe në rezultatin e këtij takimi, ku krejt në fund çfarë mundën të bëjnë futbollistët e Gostivarit, ishte goli i shënuar nga Fatih Ismaili në minutën e 62-të.
Ndryshe ishte kjo fitorja e parë për Pelisterin në këto 7 javë kampionat, ndërsa në anën tjetër disfata e tretë për Gostivarin, pas atyre ndaj Genç Kalemler dhe Goblen Juniorit, që e rendisin këtë skuadër tashmë në pozitën e dytë me 12 pikë, dy më pak se skuadra kryesuese e Struga Trim Lum.