Ismet Ceka, njëherit edhe anëtarë i Kombëtares shqiptare të futsalit, sonte ka shkëlqyer me fanellën e Futsal Shkupit, duke shënuar 4 gola në fitoren 8:3 të skuadrës nga Çairi përballë Cikos, njofton “infOSport.mk”.
Ndeshja e vlefshme për javën e tretë në kuadër të elitës së futsalit vendor u zhvillua në palestrën “Enver Idrizi” në lagjen e Seravës, aty ku “bardhekaltërit” gjithë kundërshtarët e tyre në këto tre javë i kanë qerasur me nga 8 gola.
E nisën me Velesin si vendas (8:5), për të mundur edhe rivalin lokal Juventus Seravën në rolin e mysafirit me rezultatin 8:3, ndërsa me po të njëjtin rezultat e përcollën edhe ekipin e Cikos.
Ishte zëvendës kapiteni Arsim Fazlija që hapi serinë e golave në këtë ndeshje, ndërsa Ismet Ceka vendosi rezultatin e pjesës së parë, Futsal Shkupi 2, Ciko 0.
Pjesa e dytë dhuroi më shumë gola, ku tre gola shënuan edhe mysafirët, ndërsa po aq gola i vetëm shënoi Ismet Ceka, që sonte ishte i pandalshëm për lojtarët kundërshtarë. Përveç “tripletës” së Cekës në pjesën e dytë një gol tjetër shtoi edhe Arsim Fazlija, ndërsa gjithashtu në listën e golashënuesve u regjistruan edhe Nikolla Dimovski dhe Bejtulla Jakupi.
Pas tre xhirove të para Futsal Shkupi i vetëm udhëheq vallën në elitën e futsalit, duke paralajmëruar se po mendon seriozisht rikthimin e titullit në Çair.