Ndeshja Pobeda-Vardari do të zhvillohet në Shtip

Skuadra e Pobedës ndeshjen e javës së 8-të si nikoqir ndaj Vardarit do ta zhvillojë në Shtip dhe jo në Manastir, siç ishte deri më tani, kur skuadra nga Prilepi në mungesë të kushteve për lojë në stadiumin e saj “Goce Dellçev”, i zhvillonte ndeshjet e saj në stadiumin “Tumbe Kafe”.

Arsyeja është se të shtunën ndeshjen e saj në këtë stadium do ta zhvillojë skuadra e Pelisterit, që në kuadër të javës së 7-të në Ligën e Dytë – Perëndim do të mirëpret liderin aktual, Gostivarin.

Deri më tani Pobeda në stadiumin e Manastirit kishte zhvilluar 4 ndeshje si nikoqir, edhe atë ndaj Bellasicës dhe Renovës, ndaj të cilëve kundërshtarë kishte shënuar fitore, si dhe ndaj Rabotniçkit dhe Akademia Pandev, ndaj së cilave skuadra kishte pësuar disfata.

Pobeda pas 7 xhirove të para në elitën e futbollit vendor renditet në pozitën e katërt me 11 pikë, ndërsa Vardari me 17 pikë kryeson renditjen.

Leave a Reply