Murat Adili: Jam optimist, mendoj se mund të fitojmë Genç Kalemler

Vëllazërimi të shtunën do të ketë një udhëtim shumë të vështirë në Gostivar ndaj  Genç Kalemler, skuadër kjo që vetëm për shkak të një gabimi rreth përfshirjes në skuadër të një futbollisti të ri në moshë më të madhe, humbi statusin e liderit, duke pasur parasysh se fitoren 0:1 ndaj Skopjes në mesjavë në Autokomandë, në fund e humbi në tavolinë me rezultatin 0:3.

Kësisoj tashmë dallimi në pikë mes Genç Kalemler dhe Vëllazërimit është vetëm një pikë në favor të skuadrës gostivarase, ashtu që kërçovarët me një fitore eventuale do ti parakalonin në tabelë.

“Jam shumë optimist për ndeshjen ndaj Genç Kalemler dhe shpresoj që fati të jetë në anën tonë dhe në fund të arrijmë atë që edhe e kemi për qëllim, e ajo pa dyshim se është fitorja” – tha shkurtimisht për “infOSport.mk” sulmuesi Murat Adili, i cili gjithashtu foli edhe për fitoren në mesjavë ndaj Pelisterit si dhe për atë përkrahje morale ndaj dy shokëve të skuadrës, Kushtrim Ballazhi dhe Abdullah Sejdini: “Sigurisht se na gëzoi ajo fitore ndaj Pelisterit, ndaj së cilës skuadër kemi luajtur që të gjithë lojtarët me mish e me shpirt për atë fitore, të cilën në fund ua dedikuam dy futbollistëve tanë të lënduar, Kushtrim Ballazhit dhe Abdullah Sejdinit. Njëherit shfrytëzoj rastin që të dy kapitenëve tanë të ju urojë shërim sa më të shepjtë dhe të na bashkëngjiten në fushën e blertë, aty ku me ta jemi shumë më të sigurtë dhe më bindës”.

Edhe pikërisht Murat Adili ai i cili në mungesën e tyre mban shiritin e kapitenit te Vëllazërimi, skuadër kjo që të shtunën në tranfertën në Gostivar shpreson ta arrijë fitoren e dytë në transfertë, pas asaj në transfertë ndaj Korabit (2:4) fillim të këtij muaji. Ndeshja Genç Kalemler – Vëllazërimi starton në ora 15:00.

Leave a Reply