Skuadra e Milanit ka dështuar sërish në garën për të marrë tre pikë të plota në një ndeshje nga “Serie A”. Skuadra nga Milano barazoi 1:1 në transfertën ndaj Empolit në ndeshjen e vlefshme të javës së 6-të në elitën e futbollit italian.
Në këtë mënyrë “rossonerët” regjistuan edhe barazimin e tretë, pas atyre ndaj Kaljarit (1:1) dhe Atalantas (2:2).
“Kuqezinjtë” kaluan në epërsi që në minutën e 10-të, pas autogolit të Leonardo Kapecit, ndërsa Empoli i Frederi Veselit, i cili luajti për gjatë 90-të minutave barazoi shifrat në 1:1 në minutën e 71-të përmes Françesko Kaputo, i cili doli të jetë i saktë nga pika e bardhë.
Ky rezultat mbeti i pandryshuar deri në fund të takimit, ndërsa më i merituar për këtë pikë të Empolit ndaj skuadrës favorite të Milanit, ishte portieri Pietro Teraciano, i cili zhvilloi ndeshjen e tij të jetë, duke bërë 10 super intervenime dhe duke ndaluar tentativat e futbollistëve të trajnerit Gatuzo, i cili nëse vazhdon në këtë mënyrë do ta ketë shumë të vështirë për të ruajtur karrigen e tij si i pari i Milanit.