Skuadra e Sent Etien ka mundur Monakon me rezultatin 2:0 në ndeshjen e parë të javës së 9-të në Ligue 1. Vendasit në stadiumin “Zhofroa Gishar” shfrytëzuan rastet e tyre dhe në fund me plotë meritë arritën deri tek fitorja falë “dopietës” së shënuar nga Uahbi Hazri (41’, 54’).
Monako në anën tjetër nuk arriti që të konkretizojë disa raste të pastërta para portës së vendasve, ndërsa futbollisti që humbi më shumë raste nga rradhët e skuadrës mysafire, ishte sulmuesi kolumbian Radamel Falkao.
Në këtë mënyrë kriza që ka kapluar Monakon thellohet edhe më shumë, duke pasur parasysh se skuadra nga “Lui II” tashmë 7 ndeshje me rradhë nuk ka shënuar fitore.
Me këtë fitore skuadra “bardhegjelbër” u ngjit përkohësisht në pozitën e dytë me 15 pikë, ndërsa Monako me vetëm 6 pikë të tubuara renditet në pozitën e 18-të.