Skuadra e Genç Kalemler edhe përkundër fitores 0:1 ndaj Skopjes të martën në ndeshjen e vlefshme të javës së 6-të, nga kjo ndeshje ka mbetur me 0 pikë, pasi të njëjtën e ka humbur në tavolinë për shkak të paraqitjes jo të drejtë të njërit prej futbollistëve të rinj.
Sipas rregullores, skuadrat e Ligës së dytë në formacionet e tyre duhet të kenë dy futbollistë të rinj, edhe atë njëri deri në moshën 21-vjeçare, dhe tjetri deri në moshën 19-vjeçare.
Genç Kalemler në ndeshjen e së martës të zhvillular në Autokomandë në skuadër kishte të përfshirë dy futbollistë të ri, mirëpo problemi qëndronte se futbollisti deri në moshën 19-vjeçare ishte një vit më i vjetër, duke thyer kështu rregulloren, e cila ndëshkoi rëndë skuadrën nga Banjica e Poshtme e Gostivarit, që në këtë mënyrë e humbi ndeshjen në tavolinë.
Me heqjen e tre pikëve, Genç Kalemler tashmë renditet vetëm në pozitën e katërt me 10 pikë, po aq sa ka edhe Skopje në pozitën e tretë, ndërsa tashmë Gostivari renditet i pari me 12 pikë, një më shumë se Struga Trim Lum në vendin e dytë.