Shkëndija-Pobeda, statistika dhe kuriozitete rreth këtij takimi

Shkëndija në një moment shumë pozitiv do të luajë në Tetovë përballë Pobedës së Prilepit në kërkim të fitores së pestë me rradhë në kampionat dhe të shtatën bashkë me paraqitjet në Kupë, pas atyre dy fitoreve identike 2:0 ndaj Kozhuvit, gjegjësisht Kit Go.

Pobeda e Prilepit vjen në Tetovë pasi të dielën u mund si vendas (ndeshjet i luan në Manastir) me rezultat 4:2 nga  Akademia Pandevi. Me 8 pikë mbajnë pozitën e pestë në renditje pas gjashtë xhirove gjatë të cilave kanë koleksionuar dy fitore, dy barazime dhe dy disfata. Edhe pse dy vitet e fundit luftojnë për mbijetesë dhe ndërkohë Shkëndija luftonte për tituj, ekipi nga Prilepi është dëshmuar si kundërshtar i papërshtatshëm për kuqezinjtë.

HISTORIA

Në 20 ndeshjet e fundit të dyja skuadrat kanë arritur nga 8 fitore, ndërsa 4 ndeshjes mes tyre ishin mbyllur me barazime. Sezonin e kaluar historik të Shkëndijës në rrugën drejt dy titujve, Pobeda ishte ndër ekipet e rralla që doli dy herë e pamposhtur në katër takimet e sezonit të kaluar ndaj Shkëndijës.

Fillimisht në xhiron e katërt në Tetovë barazuan 3:3, ndërsa pikërisht në transfertën me Pobedën në Strumicë kuqezinjtë pësuan njërën prej tre disfatave (2:1) të vetme gjatë gjithë sezonit.

  • Dy ndeshjet e zhvilluara gjatë muajit shtator mes këtyre dy skuadrave janë mbyllur me barazime, përfshirë këtu edhe barazimin 3:3 të sezonit të kaluar.
  • Në 20 ndeshjet e fundit mes këtyre dy skuadrave janë shënuar plotë 72 gola, apo nga 3.6 gola për ndeshje.
  • Shkëndija fitoren më të thellë e ka regjistruar me 12 mars të vitit 2017-të, kur në Tetovë kishte shënuar fitore 4:0, ndërsa në anën tjetër Pobeda fitoren më të lartë e ka regjistruar pikërisht në Tetovë si mysafir, kur me 31 maj të vitit 2008 kishte shënuar fitore me rezultatin 5:1.

MUNGESAT

Trajneri i Shkëndijës Qatip Osmani për këtë ndeshje nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Remzifaik Selmanit, për shkak të pezullimit (karton i kuq kundër Sileksit) dhe Izair Eminit për arsye dëmtimi. Lëndimi në takimin e 1/16 së finales së Kupës dy javë më parë me Kozhuvin e Gjevgjelisë vazhdon të shqetësojë Eminin, i cili edhe pse ndërkohë u përfshi në tre përballje gjithsesi nuk duket i qetë. Kundër Sileksit u inkuadrua në lojë në fund të ndeshjes, por kjo ka mjaftuar të mbingarkohet muskuli i lënduar duke e nxjerë nga kombinimi për sfidën e sotme ndaj Pobedës, te e cila skuadër nuk ka asnjë futbollistë të lënduar, apo edhe të suspenduar, me përjashtim të dyshes Trajkoski dhe Zhoglev, që janë të operuar dhe pritet të pauzojnë një kohë më të gjatë.

Ndërkohë lajm i mirë te Shkëndija është edhe rikthimi i mbrojtësit të krahut Mevlan Murati, i i cili kishte munguar në tre ndeshjet e fundit.

FUTBOLLISTË TË DALLUAR

Te Shkëndija pa dyshim lider absolut është Besart Ibraimi, i cili një gjë të tillë dëshmoi edhe në ndeshjen e fundit ndaj Sileksit në Kratovë, kur vetëm në minutën e dytë shtesë shënoi golin e fitores për Shkëndijën, ndërsa në anën tjetër me lojë të mirë ndeshjeve të fundit te Pobeda po spikat, mesfushori Burhan Mustafov. Ky i fundit ishte njëri prej autorëve të golave edhe në ndeshjen e fundit ndaj Akademia Pandev, në të cilën Pobeda e tij pranoi plotë 4 gola, më shumë se në 5 ndeshjet paraprake kur kishte pranuar vetëm dy sosh.

STADIUMI

Fusha e stadiumit në Tetovë është një ndër më të mirat në Maqedoni, ndërsa kur kësaj i shtohet edhe numri i konsiderueshëm i tifozëve në kontinuitet, atëherë Shkëndija edhe sot pritet që të ketë një përkrahje nga tribunat, që me siguri se do të jetë një stimul plus.

Leave a Reply